Djali i pronarit të policisë private “Oktapus” është vënë në hetim nga prokuroria e kryeqytetit pasi ka keqtrajtuar duke i thyer dhëmbët, një ish-punëtori pasi ky i fundit kishte shkuar në zyrat e tij, dhe u kërkonte rrogën. Sipas të dhënave, Raqi Kane ka qëlluar me grusht Afrim Dunishan, i cili kishte shkuar pranë zyrave të kompanisë “Oktapus” për t'i kërkuar rrogën.

Ngjarja është shënuar më 13 shkurt 2019 rreth orës 11:15, kur i dëmtuari Durisha, ka qënë pranë shoqërisë “Oktapus” pronar i së cilës është Spiro Kane. Rezulton se Dunisha ka qënë i punësuar në këtë kompani nga data 19 korrik 2018 deri në datën 19 nëntor 2018, kohë në të cilën është larguar me dëshirën e tij, pasi nuk i janë paguar orët shtesë, gjatë kohës që ka qenë në marrëdhënie pune. Afrim Dunisha, ka shkuar tek “Oktapus” për të kërkuar informacion se përse nuk i kishin paguar detyrimin financiar për orët shtesë.

Ai është futur në ambientet e kompanisë dhe ka takuar pronarin Spiro Kane dhe duke biseduar me këtë të fundit i ka ardhur nga pas papritur Raqi Kane, djali i pronarit, i cili e ka gjuajtur me grusht në fytyrë duke e dëmtuar dhe duke i thyer dhëmbin. Spiro Kane dhe i biri janë larguar para se të vinte policia në vendngjarje, por më pas janë vetëparaqitur polici duke dhënë deklarime.

Sipas Spiro Kanes, i dëmtuari Dunisha ishte larguar me dëshirën e tij dhe nuk ka pasur asnjë pretendim. Kane, është shprehur në polici se gjatë marrëdhënies së punës ai ka pasur probleme pasi është larguar nga vendi i shërbimit pa marrë lejen. Gjithmonë sipas Kanes, kompania nuk i detyrohet asnjë lekë pasi që kur ka ikur i ka marrë detyrimet e tij dhe është likujduar me bankë.

Lidhur me këtë ngjarje është pyetur dhe shtetasi Raqi Kane, i cili ka pohuar se Dunisha ka dashur të hyjë me forcë në zyrën e babait të tij, duke e ofenduar disa herë. Raqi Kane ka pretenduar në polici se nuk e ka goditur me grushte, por e vetmja gjë që ka bërë është se e kishte kapur për krahu dhe e kishte nxjerrë jashtë ambienteve të kompanisë.  /Shqiptarja.com