Një i ri i shpallur në kërkim pasi i mori me anë të mashtrimit makinën një italiani është kapur në kufirin e Qafë Botës në Sarandë.

25-vjeçari me iniciale A.A., banues në fshatin Vermik të Vlorës, po hynte nga Greqia në shtetin shqiptar kur u bë verifikimi i tij në sistemin hyrës.

Policia njofton se i riu tentoi të largohej me shpejtësi për t'i shpëtuar policisë por u kap në vendin e quajtur "Varrezat e Konispolit".

Më tetor të 2018-ës, 25-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet me anë të mashtrimit shtetasit italian me iniciale G.L.

Për ketë vepër penale Gjykata dha ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg". Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprime të mëtejshme.