Sot që fëmijët do të shfrytëzonin më tepër orë lirie në shëtitje në natyrë, e kësaj radhe nënat do të shoqëroheshin edhe nga bashkëshortët, moti me kushte të këqija iu ka prishur planin prindërve dhe fëmijëve durrsakë.
Këtë fundjavë që masat u lehtësuan më tej dhe fasha orare e liridaljes u zgjat, kapriçot e motit kanë lënë sërish të mbyllur qytetarët në banesa.
Nga disa filmime që “DurrësLajm” sjell nga shëtitorja “Taulantia”, Sfinksi dhe te sheshi “Liria”, 3 pikat kryesore ku janë mbledhur më së shumti gjatë fundjavave të shkuara, sot ato ishin të zbrazura dhe të pazbukuruara me zërat e ëmbël të fëmijëve.
Lajm i mirë është që ata kanë të drejtë për të dalë edhe nesër, e në pritje të kushteve më të mira atmosferike, të shfrytëzojnë kështu të dielën prindërit me fëmijë, si dhe pensionistët që po ashtu u penalizuan sot nga moti.
Kujtojmë që këtë të shtunë dhe të diel, në kuadrin e lehtësimit të masave prej Covid-19, pensionistët u lejuan të dalin dy ditë rresht deri në orën 10:00, ndërsa nga ora 11:00 deri në 17:30 prindërit së bashku me fëmijët deri në 14 vjeç.
Sot po ashtu janë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë nga ora 05:00 – 17:30, ndërsa çdo gjë tjetër është e mbyllur, si dhe ndalohet qarkullimi i mjeteve private.





