Tërmeti fatal që goditi Shqipërinë ditën e djeshme, e solli 33 viktima e 658 të plagosur deri më tani, solli në Shqipëri edhe qindra forca të Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës, që ofruan ndihmë për bashkëkombasit e tyre në këtë moment të vështirë…

Por një moment emocionues vjen edhe nga kjo situatë, ku një familje e shqiptarëve të Kosovës takohen me një familje nga Durrësi, të prekur nga tërmeti, në pikën doganore mes dy vendeve. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, familja Qorraj kishte qëndruar për disa muaj te familja Kazanxhi në Durrës.

33 viktima, 658 të lënduar, 47 të shpëtuar, ky është bilanci i tërmetit të djeshëm, që e ka futur vendi në zi kombëtare dhe ka detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme. Ende vijojnë kërkimet në Thumanë dhe Durrës pas tërmetit, pasi mbi 25 persona janë ende të humbur nën rrënoja, dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre. 62 persona po marrin mjekim në spitalin e Traumës.