Në lagjen “Guri i Bardhë” në bashkinë Dimal ndotja është ulur këmbëkryq. Kjo gjendje është krijuar jo vetëm për faktin se në fshat mungojnë koshat e plehrave, por edhe sepse një prej banorëve rrit e kullot në mes të lagjes rreth 200 krekë dhi.
Banorët shprehen se magazina ku ai i mban të mbyllura dhitë është në mes të lagjes dhe çdo mëngjes e drekë ato shëtisin nëpër fshat, duke ndotur gjithçka. Banorët pohojnë se janë ankuar disa herë në bashki për gjendjen e rënduar nga ndotja, por askush nuk ka ardhur.
“Po jetojmë mes ndotjes dhe erë së keqe të jashtëqitjes së kafshëve, që janë shpërndarë në të gjithë lagjen dhe nuk pastrohen as nga bashkia dhe as nga pronari i bagëtive.
Nuk hapim dot dyert e dritaret nga era e keqe dhe mushkonjat, fëmijët nuk dalim dot të luajnë në lagje nga pisllëku, është bërë e pamundur jetesa këtu për të gjithë ne”, shprehen banorët, që duke mos gjetur dot asnjë zgjidhje në institucionet shtetërore bëjnë apel në media për zgjidhjen e këtij problemi.