Policia ka kërkuar ndihmë për identifikimin e trupit të një djali mes moshës 5-6 vjeç i cili u gjet në një lumë në Gjermani më shumë se një vit më parë. Trupi u gjet në maj të vitit 2022 në Bavari.

Interpol ka publikuar detaje të dosjes me shpresën se do të identifikohet emri i vogëlushit dhe do të përcaktohen “rrethanat misterioze të vdekjes së tij”. “Dikush, diku di diçka për këtë djalë”, thotë policia ndërkombëtare.

Grupi i hetimit ka vendosur të hedhë dritë mbi vdekjen e tij dhe të zbulojë nëse ka qenë viktimë  e rrëmbimit, trafikimit apo dhunës.

Kjo është hera e parë që Interpol  ka publikuar një njoftim “të zi” që kërkon informacion për një trup të paidentifikuar. Zakonisht këto njoftime qarkullojnë vetëm në rrjetet e Interpol në të gjithë botën.

Interpol thotë se trupi u gjet i mbështjellë me letër alumini në lumin Danub dhe pas tij ishte lidhur një gur. Gjithashtu është publikuar një model i rindërtuar i fytyrës së tij.

Agjencia policore tha për “BBC” se është “e pazakontë që trupi i një fëmije të mbetet i paidentifikuar për një kohë kaq të gjatë” dhe ka mundësi që të ketë ardhur nga një shtet tjetër.