• Rënie e numrit të shqiponjës së flamurit kombëtar. Në vitet 1990 në Shqipëri kishte ende rreth 200 çifte shqiponjash, por sot vetëm rreth gjysma e tyre mund të gjenden.

Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri shkruan  në një postim se “Four Paws”, një organizatë globale për mirëqenien e kafshëve, shkruan mbi mizorinë e ushtruar ndaj kafshëve në Shqipëri, një çështje e mbrojtur në rrugë ligjore gjerësisht ndër vite nga PPNEA [inicialet anglisht për: Protection and Preservation of Natural Environment in Albania – Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri]. Ekspertët e kësaj organizate, ndërkohë që kërkonin në tregjet online të Shqipërisë, gjetën një numër të lartë reklamash mbi arinj të murrmë, ujqër dhe shpendë grabitqarë, të cilat janë specie ligjërisht të mbrojtura në vendin tonë. Ndërsa thirrjet ndaj autoriteteve shtetërore janë në nivele alarmante, ende nuk po dëshmojmë një përgjigje proporcionale prej tyre.

Ja shkrimi:

Tregtia ilegale e kafshëve të egra në Shqipëri jashtë kontroll

  • “Four Paws” zbulon arinj, ujqër, shqiponja dhe majmunë për shitje në portalet online

Në një njoftim të 8 qershorit 2020 thuhet se kërkimet e fundit në Shqipëri të kryera nga organizata globale e mirëqenies së kafshëve “Four Paws” tregojnë për rezultate tronditëse. E mbrojtur me ligj fauna natyrore sikurse janë arinjtë kafe, ujqërit dhe zogjtë grabitqarë dhe kafshët ekzotike, si majmunët, po ofrohen për shitje në platformat tregtare më të vizituara online të Shqipërisë, përkatësisht “MerrJep” dhe “Mirlir”. Blerësit janë kryesisht persona privatë dhe pronarë restorantesh që i detyrojnë kafshët të japin shfaqje si atraksione për mysafirë. Përveç kësaj, OJQ-ja mjedisore “Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA) zbuloi pjata / gatime me kafshë të egra, përfshirë mish ariu, në menytë e restoranteve vendëse. “Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë” (OSBE) po u bie kambanave të alarmit: sipas njoftimeve të policisë, krimi mjedisor në Shqipëri u rrit në katër muajt e parë të vitit 2020 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Four Paws” po i bën thirrje tani qeverisë shqiptare të ndërhyjë shpejt dhe të mbrojë kafshët.

Për shkak të rënies masive të numrit të kafshëve të egra në Shqipëri, deri në mars 2021 tashmë është në fuqi moratoriumi për ndalimin e gjuetisë së specieve të mbrojtura. Ndalohet gjuetia e këtyre kafshë, kapja e tyre, mbajtja në robëri dhe të tregtimi i tyre. Dënimet, të cilat u ashpërsuan në tetor 2019, shkojnë deri në burgim. Sidoqoftë, zbatimi i ligjit deri më tani ka dështuar. “Policia shqiptare e shtetit duhet të veprojë tani dhe të marrë përsipër përgjegjësitë e saj ligjore. Përveç kësaj, në Shqipëri është i nevojshëm urgjentisht ngritja e një lloj strehe serioze për kafshët e egra, që përshpejton ndjekjen penale, merr kafshët e shpëtuara dhe edukon vendasit për mbrojtjen e specieve. “Four Paws” i ka ofruar mbështetje qeverisë shqiptare për ndërtimin dhe administrimin e një strehe. Fatkeqësisht, autoritetet kanë treguar pak iniciativë deri më tani “, shpjegon Barbara van Genne, përgjegjëse për shpëtimin dhe mbrojtjen e kafshëve të egra në “Four Paws”.

Kafshë të egra për shitje në platforma shqiptare reklamash

Në maj 2020, “Four Paws” ndoqi nga afër platformat më të vizituara të tregtisë online të Shqipërisë. Përveç kafshëve ekzotike, të tilla si majmunë, ekipi kërkimor gjeti dhjetëra reklama për arinj kafe, ujqër dhe zogj grsbitqarë – të gjitha këto janë specie të mbrojtura me ligj në Shqipëri. Pasi “Four Paws” raportoi disa nga reklamat e paligjshme, ato u fshinë, por u shfaqën menjëherë reklama të reja të jetës së egër.

“Përfaqësuesit e platformave na siguruan që bllokojnë reklamat e paligjshme dhe nuk i publikojnë ato. Megjithatë, shumë nga këto reklama janë akoma online. Shumica dërmuese e tyre demonstrojnë trajtim të vrazhdë ndaj kafshëve, p.sh. ndaj dhelpra me turinj të mbyllur në kuti plastike, këlyshë arinjsh me zinxhirë dhe zogj me këmbë të lidhura. Platformat duhet të marrin masa parandaluese, p.sh. identifikimi i shitësit për të ndaluar këto reklama. Sidoqoftë, problemi kryesor për tregtinë e paligjshme mbetet – mungesa e kontrollit dhe zbatimit të ligjit nga autoritetet”, thotë Barbara van Genne, që merret me shpëtimin e kafshëve të egra dhe mbrojtjen ligjore në “Four Paws”.

Gjetje mizore në restorantin shqiptar

OJQ-ja lokale mjedisore PPNEA tërhoqi vëmendjen e “Four Paws” për një zbulim veçanërisht shqetësues. Në Facebook, një restorant në Drilon reklamonte mishin e ariut në meny. “Four Paws”.ka qenë aktiv në Shqipëri që nga viti 2015, por ne kurrë nuk kemi parë më parë mizori të tilla. Deri më tani jemi përqendruar kryesisht në restorante që mbajnë arinjtë në kafaze të vegjël për argëtimin e mysafirëve të tyre. Ky zbulim i çuditshëm i ri është dhe një dëshmi se tregtia për qëllime fitimi e kafshëve të egra në Shqipëri është jashtë kontrollit. Nëse qeveria nuk ndërhyn së shpejti, ato pak kafshë të egra të mbetura do të jenë histori, “thotë van Genne, duke shtuar: “Fatkeqësisht, ne kemi parë tashmë rënien e numrit të shpendit heraldik shqiptar, shqiponjës. Në vitet 1990, në Shqipëri kishte ende rreth 200 çifte shqiponjash, por sot vetëm rreth gjysma e tyre mund të gjenden. Ne nuk duam që specie të tjera të bien viktima e kësaj rënieje shkatërrimtare të numrit të tyre”.

Përgatiti: Thanas Mustaqi