Një ngjarje e rëndë tronditi zonën rurale të Nea Michanionës në Greqi, ku një burrë 90-vjeçar u arrestua pasi varrosi një qen të gjallë, pasi më parë ia kishte mbyllur gojën me shirit ngjitës. Episodi u zbulua të mërkurën në mëngjes, kur një qytetar që po kalonte rastësisht vuri re veprimin dhe njoftoi menjëherë autoritetet.
Oficerët e Departamentit të Policisë së Thermaikos mbërritën shpejt në vendngjarje dhe gjetën qenin 17-vjeçar ende gjallë, megjithëse i traumatizuar. Kafsha u dërgua menjëherë në Shoqatën për Mbrojtjen dhe Mjedisin e Kafshëve Endacake të Selanikut Lindor (SYPPAZATH), ku sipas raportimeve gjendet në gjendje të mirë shëndetësore dhe po merr kujdes profesional.
Nga informacionet paraprake, 90-vjeçari dyshohet se u ka thënë oficerëve se mendoi se qeni – i cili i përkiste vajzës së tij – kishte ngordhur dhe për këtë arsye ndërmori veprimin e papranueshëm. Megjithatë, pretendimi i tij po verifikohet nga autoritetet, të cilët e konsiderojnë rastin një shkelje të rëndë të ligjit për mirëqenien e kafshëve.
Burrit të moshuar i janë vendosur gjoba administrative në vlerën e 30,300 eurove, ndërsa çështja është referuar për ndjekje të mëtejshme penale.





