Një baba me foshnjën e tij 3-muajshe janë bërë pjesë e një aksidenti mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Lushnjë-Berat, pasi makina e tyre përfundoi në një kanal pas përplasjes më një automjet tjetër.

Pas sherrit me gruan, babai i dehur mori foshnjen në makinë. Por sa doli në vendin e quajtur Ura e Kuçit, makina fillimisht u përplas me një furgon, më pas përfundoi në kanal. 

Policia bëri me dije se Viktor Toska, 43 vjeç, banues në fshatin Kumarak të Beratit duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Benz” me targa AA 445 NR ka goditur mjetin furgon Benz, me targa AA 370 FT me drejtues shtetasin G.Sh, 53 vjeç, banues në Kuçovë.

Si pasojë është dëmtuar shtetasi Viktor Toska, i cili ndodhet në spitalin Lushnjë nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu policia bëri me dije se foshnja 3-muajshe e Toskës i ka shpëtuar për mrekulli aksidentit.

Pas hetimeve, u mësua se Viktor Toska ishte grindur me bashkëshorten dhe ishte larguar nga shtëpia në fshatin Kumarak të Beratit, duke marrë me vete beben e sapolindur.

Policia dhe zjarrfikësit ndërhynë në kohë për të nxjerrë nga mjeti 43-vjeçarin së bashku me foshnjën, e cila ndodhej në pjesën e sediljen e pasme të pasagjerëve, e futur në një shportë bebi.