FERIZAJ– Mbrëmja e së dielës ka qenë fatale për të riun ferizajas Valon Tusha (17). Pas goditjes që ka marrë në kraharor me thikë nga i riu K.P. (14), ai nuk ka arritur t’i shpëtojë më të keqes dhe me gjithë ndihmën e mjekëve ka ndërruar jetë. Dorasi i dyshuar është një i ri, me moshë hiç më shumë se katërmbëdhjetë vjeç. Këtij konflikti të rëndë i kishte paraprirë një zënkë në mes tyre pak a shumë për asgjë, për shkëmbim sharjesh.

E tëra kishte ndodhur kur viktima Valon Tusha zbriti nga kafeneja “Beni”, në të cilën komunikonte në rrjetin social “Facebook”, për të blerë diç në dyqanin poshtë për të grimcuar dhe aty fillon zënka me dorasin, i cili nuk ka qenë i panjohur për të, sepse herë pas here janë shoqëruar ndër vete. Me të marrë goditjen me thikë në gjoks, ai i ngjet shkallët sërish për në katin e dytë, për t’u rikthyer tek interneti për të kërkuar ndihmë nga i vëllai, i cili gjithashtu ka qenë duke folur në “Facebook”.