Nga Mila Ballhysa

Kur ende nuk është shuar tronditja për vrasjen e 15-vjeçarit Erjon Boba në Durrës, nga plagët e rënda të shkaktuara nga goditjet me thikë të 14-vjeçarit M.K., një tjetër episod i shëmtuar është konstatuar në rrjetin social TikTok.

“DurrësLajm” u vu në dijeni nga një ndjekës për një foto problematike, të publikuar në këtë rrjet social, ku pozonin dy të mitur, njëri prej të cilëve mbante një thikë në dorë.

Të miturit shfaqeshin me fytyrë dhe mund të identifikoheshin lehtësisht, ndërkohë që dhe llogaria në këtë rrjet social mund të shihej nga kushdo.

Fotoja shoqërohej me njërën nga këngët e reperit Clevio dhe ishte publikuar pak orë pasi në media u përhap lajmi se Erjoni mbylli sytë.

Sipas personit që na informoi për foton, të dy të miturit janë shok me personin që goditi me thikë në zemër adoleshentin Boba.

“Kto jan t fortit e durrsit q maj thika. I postojn n tik tok. Dhe nuk bon asni veprim shteti. Jan shok me at q vrau 15 vjeqarin. Futini mrena kto tipa se i morn m qaf njerzit”,- shkruan denoncuesi.

Po sipas tij, i mituri që mban thikën në dorë është shtetasi A.G.

Lidhur me denoncimin dhe foton që gjendej lehtësisht e publikuar online në llogarinë e adoleshentit në TikTok, “DurrësLajm” vuri në dijeni policinë vendore, e cila nisi menjëherë verifikimet përkatëse.

Burime zyrtare na bëjnë me dije se i mituri po ndiqet penalisht nga Prokuroria, ndërsa mohojnë se ai është shok me autorin e vrasjes.

“Referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 14 vjeçar, pasi nga këqyrja e rrjeteve sociale dyshohet se 14-vjeçari posedon një mjet prerës (thikë).”,- njoftoi policia.

Fotoja ku i mituri shfaqej me thikë në dorë në rrjete sociale është fshirë nga TikTok, por a mjafton kjo që në të ardhmen shokët e shoqet e klasës së tij, por edhe adoleshentët që frekuentojnë të njëjtën shkollë të ndihen të sigurt???

Dështimi i Durrësit

Ditën e sotme, shkolla por edhe shoqëria në Durrës u treguan indiferentë për t’u bërë pjesë e protestës që ishte lajmëruar në rrjete sociale nga shokët e Erjonit 15-vjeçar.

Gazetarët erdhi i takoi sot vetëm halla e Erjonit, Barie Çupi, e cila, pavarësisht dhimbjes, nuk nguroi të fliste për mediat dhe ta dënonte këtë indiferencë masive.

Para pak javësh, “DurrësLajm”, në një intervistë që zhvilloi me sociologen Miriam Reçi u përqendrua në problematikën e thellë të dy viteve të fundit, ku janë regjistruar në bashkinë Durrës 5 ngjarje kriminale me autorë adoleshentë dhe të rinj (3 vrasje baballarësh në Shënavlash dhe Shkallnur), 2 vdekje për një ekspres kafeje të fikur dhe një vrasje e kryer në një banesë në Durrës nga një 24-vjeçar)

Këtyre  ngjarjeve u janë shtuar edhe dy të tjera, por këtë herë edhe më të rënda, sepse është më e vogël mosha e autorëve. Një 52-vjeçar që humbi jetën në spital, pasi ishte goditur me grusht nga një 18-vjeçar në fshatin Arapaj dhe Erjoni 15-vjeçar që mbylli sytë në spital në Tiranë, pasi për ditë me radhë kishte luftuar për jetën, i intubuar në reanimacion.

Sociologia Reçi deklaronte gjatë intervistës së “shoqëria nuk po habitet më!”.

Një fakt sa tronditës, aq edhe ulëritës, pasi sot në Durrës u dëshmua se shoqëria nuk habitet dhe nuk ka forcë të reagojë, as të ngrejë zërin, as të kërkojë më shumë siguri në shkolla, më shumë siguri për jetën e të miturve dhe adoleshentëve.

Njerëzit shijonin diellin e kësaj të marte në shesh dhe mbase nuk dinin asgjë se një protestë ishte thirrur…

Ndërkohë në Bulqizë, vendi i origjinës së Erjonit, adoleshentë e të rinj dolën në shesh për ta ngritur zërin për më shumë siguri për jetët e tyre.

TikTok-u është problemi apo jemi ne?

Ironia e fatit është se qeveria mbylli TikTok-un për të ndaluar ngjarjet e rënda fill pas vdekjes tragjike të Martin Canit. Por sherri në Durrës që u mbyll me vdekjen e Erjonit nisi në TikTok. Po aty u postua edhe fotoja e të miturit (të fortë) me thikë në dorë!

Dhe prapë apatia mbizotëron, indiferenca qëndron e ulur këmbëkryq, pavarësisht se një 15-vjeçar mbylli sytë përgjithmonë.

Nuk e mendoja zgjidhje mbylljen e TikTok-ut në atë periudhë, nuk e mendoj as tani. Pasi vetëm i mbyllur që nuk është! Por qeveria gjen gjithnjë zgjidhjen më të shkurtër duke shpallur armik TikTok-un dhe duke mos marrë fare në analizë të gjuthë hallkat e zinxhirit institucional që dështuan në vrasjen e Martinit.

Në harkun kohor të një viti, Martinit ju bashkua në qiell një tjetër i mitur.

Po për Erjonin kush ka faj, meqë TikTok-u thuhet zyrtarisht se është i mbyllur?

Po për të miturin, që pozon me thikë në dorë kush ka faj?

TikTok-u që është i aksesueshëm, familjarët apo mësuesit që nuk kontrollojnë se çfarë postojnë të miturit, policia që mjaftohet me një njoftim të shkurtër për të thënë se bëri detyrën, apo shoqëria që sheh e dëgjon për adoleshentë agresivë po rri e ulur në divanet e shtëpive duke parë televizor për të dëgjuar lajmin e radhës nga kronika e zezë?

Një shoqëri që nuk habitet më, që i mungon forca e reagimit duhet të na frikësojë.

Madje duhet të na frikësojnë edhe komentet në rrjete sociale, të cilët e lidhnin vrasjen e Erjonit me origjinën e tij dhe mundoheshin të ulnin peshën e vrasjes tronditëse.

A thua se vrasja e një djali me origjinë nga veriu i vendit është më pak tragjike, sesa vrasja e një të mituri vendali…

Ku po shkojmë si shoqëri???