LIBRAZHD, 8 prill 2013- Një i mitur nga njëra prej shkollave 9-vjeçare të Librazhdit ka ngritur në këmbë policinë lokale, pasi kishte sinjalizuar të ëmën se e kishin rrëmbyer. 

Shefi i komisariatit të këtij rrethi, Agim Arizi bëri të ditur se policia menjëherë u vu në lëvizje por gjithçka rezultoi se kishte qenë një trillim i 12-vjeçarit me inicialet A.L. 

Sipas të miturit ai kishte sajuar rrëmbimin, ndërsa kishte munguar në shkollë sepse nuk i kishte dhënë para e ëma mëngjesin e fillim javës. 

Ai sipas policisë është marrë në pyetje në prani të psikologut dhe prindërve dhe vetëm dy orë më pas ka treguar të vërtetën rreth historisë së trillimit. 

Fillimisht ai kishte ngritur një alibi të rrëmbimit të tij dhe të një bashkëmoshatari nga një makinë luksoze, e cila sipas policisë edhe pse kuptohej që ishte sajesë u vlerësua.

I mituri pretendonte se ai ishte lënë i lirë nga rrëmbyesit në Përrenjas, në vendin ku kryhet këmbimi valutor.