Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal, ku punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i marrin 2.7 milionë lekë të vjetra ryshfet pronarit të një furre buke.

Pas pamjeve të publikuara në Top Channel, OSHEE Group ka marrë masat e menjëhershme për nisjen e procedimit administrativ ndaj dy punonjësve Arjan Pashaj dhe Roland Kaçaj procedim i cili do të konkludojë në largim nga detyra, ndërsa rastin e dokumentuar do ta përcjellë për procedim penal.

“OSHEE Group shpreh gadishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me organet ligjzbatuese për zbardhjen e plotë të përgjegjësive nga ana e dy punonjësve të saj dhe inkurajon të gjithë qytetarët që të denoncojnë në nr. 069 41 41001 çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e çdo punonjësi të OSHEE group”, thuhet në njoftimin e OSSHE-së.

Zef Gjelaj u ankua në emisionin investigativ se këta punonjës i kanë kërkuar me ngulm këtë shumë, me qëllim që t’i rimbursojnë energjinë elektrike. Me zë dhe figurë, Fiksi faktoi se dy punonjës të OSHEE-së kanë marrë ryshfet. I pari në vitin 2022, ndërkohë i dyti në dhjetor 2023. Madje, ky i fundit shumën prej 2.7 milionë lekë ia merr brenda furrës. Ndërkohë, disa orë pas kësaj pagese, punonjësi që i mori këtë shumë, ia rregullon të gjitha letrat dhe faturat. Ryshfeti i kërkuar është gjysma e debisë që pronari i furrës ka paguar energjinë elektrike dhe duhej t’i kthehej atij. Por, nga 5.4 milionë lekë që do t’i rimbursohej, 2.7 ia morën brenda furrës këta punonjës!

“I jam drejtuar Fiks Fare se OSHEE na ka sorollatur. Unë kam një biznes familjar, furrë buke dhe mezi mbijetojmë. Unë furrtar punoj prej 13 vitesh. Kemi punuar këtu dhe jashtë shtetit. Këtu s’të lënë të punosh. Çohemi në 2 të natës. Prodhojmë bukë masive” thotë Zefi. Më tej pohon se prej dy vitesh i kanë sorollatur. “Ne qeveria na i ka bërë dritat me 7.6 lekë kË/h, kurse këta na i kanë bërë me 14 lekë. Deri më sot ka shkuar 5 milionë e 400 mijë lekë (të vjetra) që ne i kemi paguar më tepër. Punëtorët e OSHEE-së na i kërkojnë gjysmat e parave që t’i rregullojnë dritat. 5.4 milionëshi është i imi. Këto lekë më rimbursohen mua në muajt në vijim. Këta më kërkojnë gjysmën e lekëve” thotë denoncuesi.

Më tej shton se ky nuk është rasti i parë që familja e tij bezdiset. “Kanë dy vjet që vijnë te furra. Fillimisht ka ardhur Roland Kaçaj, është punonjës te OSHEE te bregu i Lanës. Ai na ka kërkuar paradhënie 700 mijë lekë që të bëhej një rimbursim. Këtë shumë e donte paradhënie. Na i kërkoi atëherë, ia dhamë dhe e ka kthyer nga 14 lekë në 7.6 lekë. Pas 3 muajsh kemi shkuar të paguajmë faturën dhe na doli me 14 lekë. E kishte bërë dhe e kishte prishur. Se kështu e bëjnë këta. Marrin lekët, e bëjnë 2 a 3 muaj dhe ta prishin për arsye që të shkosh 1 vit e gjysmë prapa të shkojnë miliona leke që ke paguar më shumë. Edhe ata të thonë 5 milionë i dua unë, 5 milionë janë për ty që ti rimbursojnë. Ti rregullojnë vetë ata. Ata duan gjysmën. I kërkojnë lekët para se të bëjnë ndryshimet. Edhe për 30 minuta të kryejnë punë. Kur ia jep gjysmën e lekëve” thotë qytetari.

Ai i vë në dispozicion redaksisë së Fiks Fare një bisedë që ka bërë në vitin 2022 me z. Roland Kaçaj, i cili është punonjës i OSHEE-së. “Unë të kam thënë kaq, ty lekët që ke paguar dhe do të kthehen mbrapsht. Unë të kam thënë nëse atje do të mbaroj punë, të mbaroj punë se kam akt-konstatimin. Kur ato s’ma pranojnë ça të bëj unë, të vras veten” i thotë Rolandi qytetarëve. Këta të fundit i kujtojnë se ka qenë vetë ai që u ka kërkuar 200 mijë lekë të vjetra që t’ia jepnin një punonjëse se “të mbaron punë”. “Unë nuk jam drejtor, kam e kaq fuqinë. U ndihmova për ta bërë, po lekët po i kthej mbrapsht” thotë ai, teksa pranon se ka marrë ryshfet. Denoncuesit i thotë se nuk i duan paratë mbrapsht, por vetëm që t’u mbarojnë punë. “Ça të bëj unë, të vras veten?! Kaq e kam fuqinë. Ajo i mori lekët, s’kam çfarë t’i bëj” vijon ai, duke pranuar sërish marrjen e ryshfetit nga ai dhe një punonjëse tjetër. Denoncuesit i thonë se si nuk kanë turp që marrin para’ dhe nuk mbarojnë punë. Ai i përgjigjet se “s’marim lekë pa mbaruar punë, por në këtë rast kaq ishte mundësia”.

Denoncuesi tha për Fiks Fare se nga viti 2022 deri në 2023 nuk është bërë ndryshimi, megjithëse punonjësit u kishin marrë një ryshfet. “Unë kam vijuar të paguajë çdo muaj. Dhe shuma që duhet t’më rimbursohet ka shkuar në 5 milionë e 400 mijë lekë. Ka dy tri javë që vjen një punonjës tjetër, Arjan Pashaj, edhe thotë unë dua gjysmën e lekëve që ta bëj rimbursimin” tregon Zefi, ndërkohë që pohon se paratë i do në dorë. “Do gjysmat ose nuk rregullohen. Biles duhet përshpejtuar, se i kemi gati krejt letrat. Vjen nga 2-3 orë duke na bezdisur te sahatet. Qëndron aty, prek një automat. Mua herën e fundit më ka kërkuar 2.7 milionë lekë dhe pazarin e bëri këtu te puna ime” thotë ai. Më tej shton se, nëse paguan këtë shumë, “të mbaron punë për 30 minuta”. “S’kemi mundësi dhe arsye pse t’i paguajmë. Këto s’janë fatura shteti, por ata i fusin në xhep. Është ryshfet” përfundon ai.

Pas kësaj bisede, denoncuesi shkon te furra e bukës dhe pas disa minutash shkon në atë vend edhe punonjësi i OSHEE Arjan Pashaj. Ai i kërkon gjysmën e shumës që duhet t’i rimbursohet, pra 2.7 milionë lekë të vjetra! Denoncuesi e pyet se sa është shumë që duhet të paguajë dhe ai i thotë “2.7 milionë lekë dhe të ikën komplet dhe të ndërrohet çmimi”. Sipas punonjësit, të gjitha këto bëhen brenda ditës. “Bëhet sot. I mbyll të gjitha. E ke të mbyllur brenda ditës së sotme” vijon punonjësi, ndërsa denoncuesit e pyesin disa herë se çfarë shume duhet të paguajnë. “2.7 mër burrë” i përgjigjet ai. Denoncuesit i kujtojnë se edhe një tjetër punonjës i ka marrë 200 mijë lekë të vjetra, por ai i thotë se nuk e njeh. Më tej bëhet edhe pazari, ky denoncuesit i kërkojnë që t’ia ulë shumën, ta bëjnë 2.5 milionë lekë të vjetra. “Jo. Po në qoftë se i ke vëlla hajde bëje, po presin robt” i përgjigjet prerë ai.

Më pas, qytetarët i japin shumën që i kërkoi dhe ai i thotë se gjithçka zgjidhet mbasdite. Ata i kërkojnë edhe një dokument që është punonjës shtetëror. Ai i tregon mjetin identifikues të punës dhe i kërkon me ngulm se “mi jep mua ti numëroj se po na luan mendsh”. Punonjësi më pas numëron paratë, teksa bën edhe mbledhjet e të gjitha prerjeve. “Një sekondë o vëlla. Mungon një pesëmbëdhjetëshe” i thotë punonjësi denoncuesve. Pra, u ka dhënë para’ mangut. Por, denoncuesit i kujtojnë se i ka numëruar gabim dhe ai i numëron sërish. Kësaj herë nga numërimi shuma i del shumë e saktë, ajo që kërkoi, teksa u thotë sërish denoncuesve se “zgjidhet brenda ditës së sotme”.

“Jam Arjan Pashaj. Për t’u bërë janë 4-5 veta që merren me këtë punë” vijon ai, ndërsa sërish ka dyshime për shumën. Kësaj herë, kthehet nga rruga dhe futet sërish brenda furrës së bukës dhe i numëron. “Sa mirë i numëron. Si me ja pas borxh, si me ardh me i marr borxhin” i thotë një nga denoncuesit, ndërsa punonjësi pasi i numëron vetëm i “dhuron” një buzëqeshje.

Pas pagesës së ryshfetit, denoncuesi shkon te pika e OSHEE-së për t’u informuar nëse është hequr nga sistemi pagesa që kishte për të kryer. Punonjëset shohin sistemin dhe i thonë e ke 0! “Janë 4 milionë, po te ‘Lapsi’ këtu është zero. Kjo është zero. I kanë futur kështu, por i kanë hequr. Në qoftë se nuk e ke paguar nëntorin, janë të hequra. E ke OK” i thotë punonjësi. Pra, denoncuesit u endën për më shumë se dy vite në dyert e këtij institucioni. Por, punë mbaruan vetëm pasi u detyruan që të paguajnë ryshfetin prej 2.7 milionë lekësh.