Një 30-vjeçar është arrestuar në Elbasan për mashtrim dhe vjedhje, pasi ka marrë 2300 euro nga një klient duke u shtirur sikur ishte pronari i një subjekti transporti mallrash. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan, pas kallëzimit nga përfaqësuesi i një subjekti privat për transport mallrash, kanë bërë ndalimin e shtetasit E. S., 30 vjeç, banues në Përrenjas, për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Mashtrimi”.
Nga hetimet ka rezultuar se në muajin nëntor 2024, 30-vjeçari, që kishte detyrën e menaxherit të një subjekti transporti kombëtar dhe ndërkombëtar, ka mashtruar një klient duke i thënë se ishte pronari dhe ka marrë shumën prej 2300 euro. Pas veprimeve hetimore, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.