Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se i mori me dhunë nga qafa një varëse floriri. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet K. R., 36 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

NJOFTIMI I POLICISE

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar “Bulevardi”. I mori me dhunë varësen e floririt, një shtetaseje, në rrugë, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 36-vjeçari.

I arrestuari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, dje, pas marrjes së njoftimit se një shtetaseje i kishin vjedhur me dhunë varësen, në bulevardin “Nënë Tereza”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bulevardi”, për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, u identifikua, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:

-K. R., 36 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, dje, në bulevardin “Nënë Tereza”, i ka marrë me dhunë varësen nga qafa, varësen e floririt, një 26-vjeçareje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.