Prokuroria e Korçës dërgon për gjykim përgjegjësin e Zyrës së Strehimit në Bashkinë e qytetit, Vasillaq Thimo, të akuzuar për “korrupsion pasiv”, si edhe shtetasen Diana Kuqidhis, të akuzuar për “korrupsion aktiv”. Zyrtari i Bashkisë Korçë akuzohet se i ka marrë shumën 200 mijë lekë qytetares, me qëllim që t’i siguronte asaj të drejtën e strehimit.

E pandehura tjetër ia ka dhënë këto para dhe, pasi ka pritur për një kohë të gjatë dhe nuk ka marrë të drejtën e strehimit, i ka kërkuar të pandehurit Thimo që t’i kthente shumën e parave të dhëna paraprakisht. Ky i fundit, i gjendur nën presion nga persona të afërt të të pandehurës Kuqidhis, ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj saj, me pretendimin se po i ushtronte presion për t’i marrë në mënyrë të padrejtë para. Por, nga hetimi i Prokurorisë së Korçës rezultoi se Përgjegjësi i Strehimit në Bashki i kishte marrë të pandehurës shumën e parave dhe kallëzimin për “gjobvënie” ndaj tij, ai e kishte bërë fiktiv.