Mirditë, 2 shtator 2014 – I ngacmonte gruan, i qëllon para shtëpisë me 30 plumba. Një 30-vjeçar nga fshati Lufaj i komunës Selitë të Mirditës është ekzekutuar me armë zjarri mesditën e djeshme, ndërsa e shoqja ka mbetur e plagosur rëndë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 të së hënës, ndërsa viktima Roland Kaçorri është qëlluar me armë zjarri tip automatik në oborrin e banesës së tij nga fqinji Azem Ukaj (ne foto). Nga plumbat u lëndua rëndë edhe gruaja e viktimës, Urjeta, 24 vjeçe. Kjo e fundit është dërguar me një helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës nga ku mësohet se është jashtë rreziku për jetën, raporton "Panorama".
Blutë e Mirditës u nisën me urgjencë drejt vendit të ngjarjes, por terreni i thyer malor ka bërë që ata të mbërrijnë me vonesë. Autori ndërkohë kishte tentuar të arratisej, duke kaluar në pjesën e territorit të Matit. Falë një punë të mirorganizuar të forcave të komisariatit të Mirditës dhe atyre të Burrelit, autori u vu në pranga vetëm dy orë pas ngjarjes tragjike. 29-vjeçari Azem Ukaj u prangos në malin e Urakës në Mat, teksa po tentonte të arratisej drejt thellësisë së zonës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





