Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku priti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së, në Shqipëri, David Wisner dhe pjesëtarë të ekipit të seksioneve ligjzbatuese në këtë ambasadë.
Vizita ishte në kuadër për të çuar më tej partneritetin dhe bashkëpunimin solid të deritanishëm, ndërmjet forcave të rendit të SHBA-së, Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri dhe Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit.
Drejtori i Përgjithshëm falenderoi të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës Amerikane dhe përfaqësuesit e tjerë të ambasadës për vizitën, si dhe për mbështetjen dhe besimin.
Gjithashtu, i siguroi përfaqësuesit e ambasadës amerikane se Policia e Shtetit është partnere e besueshme e SHBA-së, si dhe se është maksimalisht e angazhuar për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët strategjikë dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Nga ana tjetër, Wisner falenderoi Policinë e Shtetit për përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve, si dhe për përpjekjen për një Shqipëri më të sigurtë.
Wisner dhe përfaqësuesit e tjerë çmuan bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet forcave të rendit të SHBA-së, Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri dhe Policisë së Shtetit, si dhe shprehën gatishmëri për ta intensifikuar më tej këtë bashkëpunim.