28 korrik 2013 – Pjesa më e madhe e kontinentit evropian është përfshirë nga një valë të nxehti me temperatura të larta, që arrijnë në 40 gradë celcius. Vala e të nxhetit Saharian ka përfshirë veçanërisht Gjermaninë, ku temperaturat kanë arritur nivele rekord në 40.2 gradë. Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë dhe që është arritur në vitin1983. Nga temperaturat e larta vuan kryesisht rajoni i Bavarisë, por edhe në zonat veriore zhiva e termometrit nuk bie nën 35 gradë këtë fundjavë. Banorët u janë drejtuar pishinave për t’i bërë ballë temperaturave të larta.

Nën pushtetin e temperaturave të larta janë edhe vende të tjera të Europës Qëndrore, Lindore e Jugore. Dyndje të pazakonta pushesish ka pasur në bregdetin verior të Polinisë, ku termometri arrin mesatarisht në 37 gradë. Në Çeki e Sllovaki janë të shumta rastet kur është kërkuar edhe ndihma mjekësore për personat, të cilët vapa i ka gjetur të papërgatitur. Moti i nxehtë ka prekur edhe Zvicrën, Austrinë dhe gjithë gadishullin Apenin.

Instituti italian i Gjeofizikës dhe Vulkanologjisë në Bolonja bën të ditur se edhe i nxehti ka rritur edhe temperaturën e ujërave të deteve të mesdheut. Në brigjet e Adriatikut, temperaturat e ujit arrijnë në 29 gradë celcius. Sipas tyre, vala e të nxehtit pritet të vazhdojë deri të mërkurën kur do të nisë edhe rënia graduale e temperaturave.