Një 54-vjeçar i pastrehë, prej muajsh kalon netët në lulishten e qytetit të Beratit. Në mungesë të një pune, pa asnjë të ardhur, dhe pasi familja e ka braktisur, Luan Ziu ka përfunduar mes katër rrugëve.

Për të nuk bëri diferencë as mbrëmja e Krishtlindjes, të cilën e kaloi si çdo natë në mes të të ftohtit, nëpër stolat e lulishtes. Ato janë kthyer prej muajsh në strehën e tij.

Ziu e ka mbiemrin, por për ironi të tillë e ka dhe fatin. 54-vjeçari ka kërkuar ndihmë për t’u punësuar apo strehuar edhe pranë bashkisë së Beratit, përfaqësues të së cilës thonë se rasti i tij do të shqyrtohet, raporton “OraNews”.

Rastet e të pastrehëve, për fat të keq nuk janë të pakta në vendin tonë. Kujtojmë që vetëm një javë më parë, një foshnje 1-muajshe humbi jetën nga i ftohti në qytetin e Durrësit, pasi nëna 18-vjeçare e fëmijës ishte e pastrehë. E braktisur nga familja, prej dy javësh ajo e kalonte natën jashtë poshtë Urës së Dajlanit, vendi që do të mbahet mend gjatë për tragjedinë e foshnjës së pafajshme, e cila ngriu nga i ftohti.

Pas humbjes tragjike të jetës së fëmijës, reagoi dhe Avokati i Popullit, i cili u bëri thirrje organeve vendore që të marrin masa urgjente, që tragjedi të tilla të shmangen e njerëzit të mos vdesin më rrugëve në këtë vend.