Mario Baloteli shpërndante drogë për shaka në zonat e Skampias gjatë qëndrimit të tij në Napoli vitet e shkuara. Është kjo deklarata e një të penduari të kamorrës, Armando de Rosa, ndërsa është marrë në pyetje nga prokurorët në Napoli lidhur me një hetim që po kryhet për riciklimin dhe furnizimin. Sulmuesi i Milanit në vitin 2010 bëri një xhiro në zonën napoletane për të shuar kuiozitetin e tij.
Bashkëpunëtori i drejtësisë, me sa duket është i lidhur me grupin e Vanela Grasit një nga klanet aktive të Skampias. De Rosa u tha prokurorëve se futbollisti, i cili kishte dëshirë të vizitonte Skampian dhe ishte futur në lagje i shoqëruar nga disa anëtarë të një klani (ngjarje që doli në dritë vitet e kaluara) “pasi kishte marrë pjesë në disa shpërndarje droge (doza kokaine apo heroine), për t’u tallur kërkoi edhe që të mund të shpërndante ai disa doza dhe kështu ishte ai që ia dha një klienti që kaloi. Mbaj mend edhe që e pyetëm atë të droguar nëse e kishte njohur Balotelin, por ai as që na besoi”, u shpreh i penduari. Dëshmia e tij u depozitua në dosjen e procesit që po zhvillohet në gjykatën e Napolit.
Balo në “Twitter”: T’ju vijë turp
Nuk ka pritur shumë dhe e ka dhënë përgjigjen e tij menjëherë Mario Baloteli: “Ahahaha tani shpërndankam drogë! Më parë shkoja me ku.. E ndoshta më vonë do ma bëjnë edhe në… Por T’JU VIJË TURP. Mos e përdorni për famë”, u shpreh me inat milanisti, para se ta fshinte postimin. Supermario në të shkuarën ka folur lidhur me xhiron e tij në Skampia: “Nuk e dija kush ishin ata persona, atë ditë në Napoli në rrugë kishte shumë njerëz rreth meje”.





