Aktorja Anila Bisha, ka paditur në Gjykatën Administrative Këshillin e Ministrave, Kompaninë Apel shpk, AKSHI-n dhe kryeministrin Edi Rama, me pretendimin se po i shkaktohet dëm i madh me përdorimin e imazhit të saj.

Padia vjen pasi imazhi i aktores është përdorur edhe për ministren virtuale Diella. Sipas saj, janë shkelur kushtet e kontratës që ajo pretendon se është nënshkruar vetëm për përdorimin e imazhit si asistente virtuale për shërbimet në e-Albania.

Aktorja kërkon që deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, të mos përdoren të dhënat e saj personale, në këtë rast imazhi dhe zëri, për avatarin e Ministres për Inteligjencën Artificiale.

“Kërkuesja do të investojë gjykatën me kërkesën për marrjen e masës së sigurimit të kërkesëpadisë, pasi vlerëson se, si rrjedhojë e veprimeve të palës së tretë, asaj i është duke iu shkaktuar një dëm i madh, i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm”, thuhet në padi.

anila bisha padi

Kujtojmë se ministrja Diella u prezantua nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste më 11 shtator, si pjesë e kabinetit të ri.