Jashtë kamerave, nëna e Olsi Qalliaj, i cili u arrestua si një nga personat e dyshuar të vrasjes së Jurgen Kurtit në Tiranë, është shprehur se ka besim tek djali i saj se nuk është përfshirë në një ngjarje të tillë. Ajo tha se të gjitha informacionet e publikuara deri më tani nuk janë aspak të vërteta se djali i saj ka makina të shtrenjta dhe biznese.

“Djali nuk kishte punë. Olsi merrej me shitje makinash, i punësuar. Kohët e fundit ka qenë pa punë. Nuk ka makinë. Nuk ka biznes. Nuk ka asgjë. Babai është në emigracion. Shtëpitë janë të pa përfunduara. Kemi një dyqan të vogël me të cilin ushqehemi. Nuk e besoj që djali ka bërë këtë gjë. E vërteta do dali në shesh.  Ato që kanë dalë janë një skandal. Ka një xhaxha në Itali. Një në Amerikë. Kemi vjehrrën dhe vjehrrën në shtëpi.  Nuk është gjetur asnjë armë në shtëpi.  Unë jam e papunë. Osli nuk ka një makinë. Ato që dalin nuk janë të vërteta. Nëse Olsi do kishte aq leke do ishte mbushur me makina këtu jo me dru për t’u ngrohur në sobë”, tha nëna e Olsi Qalliajt.

Gjithashtu edhe të afërmit e Olsit shprehen të shokuar për këtë rast. Ata besojnë se Olsi nuk është i përfshirë në këtë ngjarje si dhe kanë besim se drejtësia do të japë drejtësi.

Fqinjët e të riut tregojnë mes tjerash se Olsi Qalliaj është një nga djemtë më të mirë të lagjes, por nuk e përjashtojnë mundësinë se ai mund të ketë rënë viktimë e shoqërisë. Nga ana tjetër vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, ku Jurgen Kurti apo i njohur ndryshe si “Menaxheri i VIP-ve” mbeti i vrarë ditë më parë në kryeqytet.  /BW