Në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, autostrada Durrës-Tiranë u përgjak nga një aksident tragjik, që u mori jetën dy vajzave të reja, ndërkohë që drejtuesi i mjetit mbeti i plagosur rëndë.

Shtetasi Arbër Tivari, nga Durrësi, ka qenë duke udhëtuar me automjetin tip Ford Ka në drejtim të Tiranës, kur është përfshirë në aksident, rreth orës 01.15 të mëngjesit të së dielës. Dinamika e aksidentit ende nuk është zbardhur.

Policia ka bërë arrestimin e të riut, që ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e traumës në Tiranë, ndërsa dy pasagjeret që udhëtonin me të ndërruan jetë.

Sipas grupit hetimor, për shkaqe që nuk dihen, automjeti ka dalë nga rruga duke marrë me vete edhe barrierën metalike, e cila është palosur brenda në makinë.

Për pasojë, 26-vjeçarja Silva Gjergji nga Rubiku, si dhe një shtetase tjetër, deri tani e pa identifikuar, rreth moshës 22 vjeçe kanë gjetur vdekjen.

Drejtuesi i mjetit ka marrë dëmtime të rënda dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.