Një i vdekur dhe dy persona të plagosur është bilanci i ngjarjes së rëndë që ka tronditur Dibrën mëngjesin e sotëm. Mësohet se viktima është dhëndrri i familjes, i cili një ditë më parë i preu veshët kunatit të tij.
Në një njoftim për mediat, Policia e Dibrës njofton se lidhur me këtë ngjarje janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në D.V.P. Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër arrestuan në flagrancë shtetasit:
– V.Ç., 68 vjeç, banues në Topojan, për veprën penale të "Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare" në bashkëpunim;
– G.D., 28 vjeç dhe A.D., 34 vjeç, (vëllezër) për veprën penale të "Vrasjes me dashje", të kryer në bashkëpunim.
Sipas asaj që shkruan BalkanWeb, gjithçka nisi një ditë më parë kur pas një sherri për motive të dobëta Adriatik Jella, rreth 40 vjeç, i preu veshët vëllait të bashkëshortes. Ngjarja ndodhi në Maqellarë të Dibrës.
Mësohet se Jella u nis drejt fshatit të gruas së tij, Gjoricë dhe sapo hyri në banesë, plagosi një prej anëtarëve të kësaj familje. Duke u gjendur në këto rrethana, thuhet se vjehrri i tij ka marrë një dru dhe e ka goditur në kokë dhëndrin, i cili humbi jetën duke shkuar në spital.
Jella ishte person me precendent penal, ndërsa një muaj më parë ishte arrestuar për dhunë në familje. Paraprakisht thuhet se krimi makabër ndodhi pas një sherri mes kunatit dhe tij, pasi ai i kishte kërkuar llogari se pse i kishte dhunuar motrën. Aktualisht policia po heton për ngjarjen në fjalë, ndërkohë që tre persona janë arrestuar.





