Kitaristi i njohur botërisht, Carlos Santana, është shtruar me urgjencë në spital pasi i ra të fikët gjatë provave të zërit për koncertin e radhës në Teatrin “Majestic” të San Antonios. Incidenti ndodhi rreth orës 17:00, teksa artisti ndodhej në skenë dhe u desh ndërhyrja e menjëhershme e ndihmës së parë.

Menaxheri i tij, Michael Vrionis, konfirmoi se Santana, 77 vjeç, po mbahet nën kujdes mjekësor dhe gjendja e tij po përmirësohet. Sipas mjekëve, episodi lidhet me dehidratimin.

“Me keqardhje njoftojmë se koncerti i planifikuar për sonte do të shtyhet. Z. Santana u diagnostikua me dehidrim, por po trajtohet dhe ndjehet më mirë,” thuhet në deklaratën e menaxherit.

Koncerti në San Antonio ishte pjesë e turneut “Oneness” në Amerikën e Veriut, i cili pritet të rifillojë më 23 prill në qytetin Sugar Land të Teksasit.

Santana është përballur edhe më herët me probleme shëndetësore. Në fillim të këtij viti ai shtyu një seri koncertesh për shkak të një dëmtimi në gisht, ndërsa në vitin 2022 anulojë disa shfaqje për arsye mjekësore. Megjithatë, muzikanti legjendar mbetet i vendosur të rikthehet në skenë sapo të rikuperohet plotësisht.