Tiranë, 7 shtator 2014 – Refuzimi i kërkesës për t’u bashkuar sërish ka shkaktuar tragjedinë e rradhës në kryeqytet. 31 vjeçari Elson Senko ka tentuar edhe një herë të fundit për t’u ribashkuar me të fejuarën e tij Argela Senko, 28 vjeçe, por përballë refuzimit të saj ai ka shkrepur armën ndaj saj dhe në momentin që e mendoi të vdekur vrau dhe veten.
Krimi i rëndë u regjistrua shënua pasditen e djeshme, rreth orës 17.00, pranë Yzberishtit në kryeqytet.
Sipas policisë, 31-vjeçari, Elson Senko vetëm pak metra vendit ku kreu krimin e dyfishtë është konfliktuar verbalisht me ish-të fejuarën e tij. Pasi janë zënë me njëri-tjetrin, 31- vjeçari ka nxjerrë armën e zjarrit që mbante me vete dhe ka plagosur rëndë 28 vjeçaren. Vetëm pak sekonda më vonë, ai ka vrarë edhe veten.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se autori dhe e plagosura kanë qenë të fejuar deri para një viti, por më pas janë ndarë. Burime nga policia sqarojnë se 31-vjeçari nuk kishte pranuar që të hiqte dorë nga e fejuara e tij dhe e ndiqte atë kudo, duke i kërkuar që të riktheheshin sërish bashkë.
Sipas policisë, ish-i fejuari i vajzës ka planifikuar gjithçka, pasi pasditen e djeshme e ka ndjekur të renë deri afër banesës së të afërmve të saj dhe në momentin që i është afruar pranë, kanë nisur të konfliktohen mes tyre dhe pak minuta më vonë u konsumua tragjedia.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





