SHBA, 24 maj 2014 –  Kërkonte të hakmerrej ndaj vajzave që për vite me rradhë e kishin refuzuar dhe për këtë arsye shkaktoi një tragjedi afër universitetit të Santa Barbarës, në Kaliforni, në të cilën gjetën vdekjen 7 personave, mes të cilëve edhe autori i krimit.

Autoritetet policore amerikane kanë deklaruar se pas sulmit vrastar të regjistruar orë më parë në Kaliforni qëndron një 22 vjeçar, Elliot Rodger, i cili qëlloi rreth orës 09.30 të mbrëmjes së të premtes, ndërsa po udhëtonte me automjetin e tij tip BMW në afërsi të kampusit universitar.

Përveç 7 të vrarëve numërohen edhe 7 të plagosur, ndërkohë që policia ka rrethuar 9 skena krimi. Sipas autoriteteve mendohet, se 22 vjeçari Elliot është djali i asistent regjizorit të filmit hollivudian “The hunger games”, Peter Rodger.

Sipas disa burimeve, Elliot një ditë më parë kishte postuar në Youtube një video, ku deklaronte se do të hakmerrej ndaj vajzave që e kishin refuzuar ndër vite, duke bërë që në moshën 22 vjeçare të ishte ende i virgjër.  

Video e postuar nga Elliot në Youtube titullohet “Elliot Rodger's Retribution (Hakmarrja e Elliot Rodger)”  (videon e fundit të Elliot Rodger mund ta shihni në materialin e postuar në fund të shkrimit).

Rodger ishte një student i universitetit të Santa Barbarës. Në rrjetet sociale ai ksihte folur gjatë për vetminë e tij, refuzimet dhe dëshirat e papërmbushura. Ai mallkonte femrat që preferonin “të shëmtuar të urryer” në vend të tij, “xhentëllmenit suprem”.