Eri Zefi, 34 vjeç, është personi i vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta në fshatin Zall Xhuxhë në Fan, të Mirditës. Trupi i viktimës Eri Zefi u gjet në një kanal.
“Viktima është shtetasi E.Z. 34 vjeç, banues në Kurbin. Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.
Nga forcat policore të Komisariatit të Policisë Mirditë në mbështetje edhe nga forcat policore të Drejtorisë, po bëhet krehja e zones me qëllim kapjen e autorit.
Ndue Zefi, autori i vrasjes në Durrës, 24 shkurt 2019
Viktima Eri Zefi është vëllai i 37-vjeçarit Ndue Zefit, autori i vrasjes së 45-vjeçarit Martin Ndreca, në Durrës, në 24 shkurt të këtij viti.
Policia e Durrësit asokohe tha se vrasja kishte ndodhur për motive të dobëta. Pas sherrit me viktimën, Ndue Zefi kishte shkuar në shtëpi dhe kishte marrë një armë kallashnikov. Ai zuri pritë Ndrecës pranë shtëpisë së tij dhe më pas e qëlloi me 5 plumba. Vetëm njëri prej plumbave e ka kapur 45-vjeçarin në pjesën e shpatullës, i cili ka rezultuar fatal për të.





