Nëna e Artur Meçes, i riu që ndërroi jetë në spitalin “Nënë Tereza”, pasi vuante nga kanceri, që ishte dënuar me 5 vite burg, ka treguar momentet e tij të fundit.
“Djali vdiq me pranga në këmbë, nuk ma lanë ta merrja në shtëpi”, është shprehur e pikëlluar e ëma e 22-vjeçarit. Mimoza Meçe, tha se shërbimet ia ka bërë spitali, pasi ajo nuk kishte mundësi ekonomike. Ajo rrëfen edhe vështirësitë e familjes së saj, që pas vdekjes së bashkëshortit dy vjet më parë. Familja e saj nuk ka asnjë të ardhur, ndërsa është e detyruar të sigurojë jetesën për dy fëmijë të tjerë duke mbledhur kanoçe.
Kryefamiljarja tregon se edhe një vajzë e ka të sëmurë, madje dyshon se mos ka sëmundjen e djalit, pasi mjekët i kanë thënë se është e trashëgueshme.
Rasti i Artur Meçes u bë publik pak muaj më parë kur familjarët kërkuan nga autoritetet, që ai të falej për shkak të gjendjes së rëndë dhe atë pak kohë që i kishte mbetur ta kalonte me të afërmit.
Për këtë, banorët e Mrostarit organizuan një protestë, ndërsa bashkëvuajtësit e 22-vjeçarit në burg për disa ditë refuzuan ushqimin, por kërkesa e tyre nuk u pranua.