Një 24-vjeçar është grabitur mbrëmjen e së martës teksa po udhëtonte me makinë në drejtim të shtëpisë së tij. Tre persona i kanë zënë rrugën me makinë, duke e detyruar me forcë të zbriste dhe më pas e kanë plaçkitur.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Gjergj Legisi”, në Laprakë të Tiranës. Policia tha se ka arritur të identifikojë dhe të shpallë në kërkim njërin nga autorët, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij ende nuk janë identifikuar.
Burime nga Policia thanë se ngjarja është denoncuar në Komisariatin Nr.3 nga 24-vjeçari me iniciale M.V. Ai ka deklaruar se po udhëtonte me makinën e tij tip “BMW X5”, në rrugën “Gjergj Legisi”, kur një automjet tip “Benz C Class” i ka bllokuar rrugën, duke i dalë përpara shkruan “Panorama”.
Sipas tij, nga kjo makinë kanë zbritur tre persona, drejtuesi dhe 2 të tjerë, të cilët ai deklaron se nuk i ka njohur dhe as nuk i ka parë ndonjëherë në atë zonë.
Të tre këta persona, sipas tij të veshur sportiv, por të pamaskuar, janë drejtuar për te makina e tij, e kanë detyruar të hapë derën dhe të zbriste në tokë. Duke ushtruar dhunë ndaj tij dhe duke e kërcënuar, i kanë shkulur me forcë varësen e floririt që mbante në qafë, më pas edhe orën.
I riu pretendon se pasi i kanë marrë sendet me vlerë që kishte, tre autorët kanë hipur në makinë dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Por ai ka mundur të fiksojë targën e automjetit, përmes së cilës është identifikuar drejtuesi, shtetasi me iniciale E.K., 31 vjeç, që është shpallur në kërkim.





