Gjendja e rënduar psikologjike, e akumuluar prej disa kohësh nga kushtet e këqija ekonomiko-sociale, ishin ndër shkaqet kryesore që 30-­vjeçari M.Ibra i dha fund jetës, duke u vetëhedhur nga kati i katërt i një pallati në Durrës.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së dielës, në lagjen 10 të qytetit të Durrësit, ku si pasojë e lartësisë së madhe, 30­-vjeçari ka gjetur vdekjen menjëherë. Ai u gjet rreth orës 07:30 të mëngjesit të djeshëm nga pronarët e një shtëpie private, oborri i të cilëve ndodhej në pjesën e pasme të pallatit. “Panorama” shkruan se viktima ishte nga Cërriku, dhe prej disa kohësh jetonte në Durrës në një apartament me qira së bashku me kushërirën e tij studente, e cila e ka mësuar atë që kishte ngjarë vetëm në mëngjes. Mësohet se ai ishte dhe i papunë.

Hetuesit që po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, kanë marrë dëshmitë e disa prej personave, me të cilët shoqërohej M.Ibra, sipas të cilëve ai kohët e fundit kishte shfaqur edhe shenja depresive. Ai ishte rritur vetëm nga nëna e tij, pasi babai i kishte ndërruar jetë kur ai ishte ende fëmijë. Po hetohet gjithashtu edhe për ndonjë borxh që viktima mund të ketë pasur te persona të tjerë, të cilët mund t’i kenë bërë presion.