17 korrik 2015 – Shpesh është thënë se shqiptarët vriten për një fjalë goje. Kjo shprehje zë vendin e duhur për vrasjen e ndodhur pak ditë më parë në një pishinë në Vorë.

I riu Klevis Disha do të festonte 20-vjetorin më 8 gusht, por një sherr banal mes adoleshentësh bëri që jeta e tij të këputej tragjikisht në mes.

Për gazetën “Panorama” ka folur xhaxhai i tij, Ramazan Disha, i cili thotë se ngjarja nuk ndodhi për ndonjë femër, apo për ndonjë konflikt më të thellë. Ishte vetëm një shikim që futi në sherr të rinjtë.

“Djemtë tanë ishin ulur në shezlongët anës pishinave dhe po bisedonin me njëri- tjetrin. Klevisi shkoi afër banakut për të marrë një hamburger. Në këto momente ka debatuar me dy të rinj të tjerë, të cilët nuk i njohim ende. Ata e pyetën: “Pse na sheh?” Klevisi u është përgjigjur me të njëjtën mënyrë. Njëri prej tyre ishte ngritur dhe e kishte goditur me thikë në zemër, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas kanë ndërhyrë edhe vëllai dhe kushëriri i tij, si dhe dy bashkëfshatarët tanë, të cilët po ashtu mbetën të plagosur pasi personi që kishte thikën në dorë qëllonte këdo që i dilte përpara”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/