Art përmes fijes. Gjarpërimi i perit mbi një sipërfaqe të drunjtë për të krijuar portrete apo piktura abstrakte është një teknikë shumë pak e njohur.

Por jo për artistin e ri Donald Llaperi, që në mënyrë autodidakte e përvetësoi dhe prej të paktën 6 vitesh realizon vepra arti, përmes string art.

“Kam qenë shumë i apasionuar pas pikturës, të cilën e ushtroj që në vogëli, dhe duke ndjekur teknikat e ndryshme kam mësuar string art, që është arti i fijes. U bënë gati 6-7 vite që e ushtroj.

E gjitha kjo është mësuar në formë autodidakte. Në shkollë kam mësuar pak nga lënda e Vizatimit teknik që e kam pasur qejf, por të gjitha të tjerat i kam mësuar vetë përmes internetit”,- thotë artisti 26-vjeçar për “DurrësLajm”.

I riu nga Durrësi ka realizuar me mjaft sukses portretet e figurave të njohura të historisë si Ismail Qemali, Nënë Tereza apo Adem Jashari, por edhe piktura abstrakte me anë të të cilave po perfeksionon teknikën.

Njerëzit shprehin habi, kur mësojnë sesi janë realizuar tablotë.

“Është teknikë pak e përhapur si në Evropë dhe në Shqipëri, pasi është teknikë me fije, pra pikturon me fije. Nuk ka asnjë lloj gjëje prapa të pikturuar me laps apo diçka tjetër.  Njerëzit habiten sesi është realizuar dhe janë shumë të interesuar të mësojnë sesi bëhet dhe sesi duhet të veprojnë për të porositur diçka”. 

String art nuk është e vetmja teknikë e re, që zotëron ky i ri. Donaldi ka realizuar vepra arti edhe në quilling (art me shirita letre) apo origami 3D.  Duket se kërkon të jetë inovator në treg.

“Është dhe koha tani, janë gjëra të reja që ecin, kur isha tek piktura thashë pse mos të provoj të mësoj diçka që bot aka ndryshe dhe me anë të internetit dhe përmes videove besoj se ia kam arritur të mësoj disa gjëra”,- thotë ai.

Piktura do të vazhdojë të mbetet pjesë e pandarë e profesionit të tij si artist, por ndërkohë, eksplorimi dhe perfeksionimi në teknika të reja, duket se do ta shoqërojë gjatë.

M.B.