Gazetari i CNN, Bill Weir ka treguar për një ngjarje ku përfshihet një i ri nga Kosova, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazetari amerikan bën të ditur në një postim në Twitter se i riu kishte gjetur një kuletë me 2,000 dollarë brenda, e cila i përkiste aktores së famshme amerikane, Meryl Streep.

Ai, pasi që e ka parë letërnjoftimin, ka vendosur që t’ia kthejë kuletën dhe të hollat aktores amerikane.

“Një djalë i këndshëm nga Kosova, që punon në ndërtesën time, një natë ka gjetur një kuletë në rrugë me 2,000 dollarë brenda. Kontrolloi ID-në, ishte Meryl Streep”, ka shkruar Weir.

“Babai gjithmonë më thotë se nëse diçka që nuk është e jotja, nuk është e jotja”,- i ka thënë i riu gazetarit të CNN.

Ndonëse i është ofruar shpërblimi për veprimin e tij, ai e ka refuzuar deri në insistimin e Streep që ta pranojë atë.

“Ai refuzoi shpërblimin, derisa Meryl insistoi. Njerëz të mirë”, e mbyll postimin e tij Weir.