Për ata që nuk e kanë shkëmbyer puthjen e parë, mund të ketë shumë arsye pas ngurrimit apo frikës për ta bërë një gjë të tillë, por normalisht vdekja nuk është një prej tyre.

Por për Oli Weatherall, pikërisht frika nga vdekja është shqetësimi më i madh. Kjo sepse 22-vjeçari nga Surrey, Angli, vuan nga një alergji e rëndë nga kikirikët.

Kontakti i parë që pati me këto të fundit ishte në moshë të vogël. Ai përfundoi në spital dhe rrëfen se pështyma iu trash kaq shumë sa nuk mund të merrte frymë. Që prej asaj kohe, jeta e tij ka ndryshuar përgjithmonë.

Duke folur për BBC ai tregon se nuk bëhet fjalë vetëm për evitimin e kikirikëve në ushqim. Edhe puthja me një vajzë mund të jetë e rrezikshme. I riu shpjegon se nëse ajo ka ngrënë kikirikë, apo ky i fundit është përdorur si përbërës në një ushqim, mjafton për ta çuar në spital, e madje për t’i rrezikuar jetën. “Njerëz kanë vdekur prej saj. Është një rrezik shumë i madh”, shprehet ai.