Policia italiane ka arrestuar 31-vjeçar shqiptar me iniciale M.A, me banim në provincën e Foxhias pasi akuzohet për trafik heroine.
Sasia e heroinës së sekuestruar është 22 kilogramë e mbi 90 kilogramë lëndë përzierëse për përgatitjen e dozave të drogës, e cila do të sillte në treg një përfitim mbi 6 milionë e gjysmë euro.
Ndalimi i shqiptarit është bërë gjatë një kontrolli të policisë rrugore ndërsa po udhëtonte me automjetin e tij "Jaguar" në territorin e komunës së Massafra.
Gjatë inspektimit të automjetit me ndihmën e qenit antidrogë janë gjetur fshehur në airbag rreth 4 kg e 200 gramë heroinë ndërsa gjatë kontrollit në garazhin e banesës së shqiptarit janë gjetur 18 kg të tjera heroinë si dhe rreth 90 kilogramë lëndë përzierëse e instrumente për përgatitjen e dozave të drogës.
31-vjeçari shqiptar i arrestuar ndodhet në burgun e Tarantos në dispozicion të autoriteteve gjyqësore. Gjatë marrjes në pyetje ai ka preferuar të mos i përgjigjet prokurorëve italianë. Nën sekuestrim është vënë dhe automjeti luksoz i tij i tipit Jaguar.





