Itali, 5 shtator 2014 – Ndonëse vetëm 17 vjeç, një adoleshent shqiptar, tashmë me shtetësi italiane dhe banues në Rimini, është bërë tmerr për policinë e vendit fqinjë.

Gjatë verës, ai kishte kryer disa vjedhje me dhunë. Objektiv i tij kryesor ishin çantat e personave të moshuar.

Në 28 gusht, nën efektin e drogës, nuk i ishte bindur urdhërit të patrullës së policisë për të ndaluar. Më pas i ndjekur nga policia për rreth gjysëm ore në rrugët e Riminit, ai kishte përplasur makinën e vet me autopatrullën e policisë duke plagosur tre policë. Në makinë iu gjetën 30 doza amfetaminë (drogë e klasit B).

Këtë të enjte (4 shtator), ndërsa policia ushtroi kontroll në motorcikletën e tij tip T. Max, ai me grushta dhe me shkelma u përpoq t’i shmangej kontrollit.

Pasi ju vunë prangat, u kontrollua në trup dhe ju gjetën në të mbathura 5 doza kokainë, të ambalazhuara dhe gati për shitje. Në motor po ashtu kishte fshehur një levë hekuri.

Gjatë kontrollit të banesës ju gjetën çanta, syze të markave të shtrenjta dhe celularë, që ai ua kishte vjedhur me dhunë personave të ndryshëm. Disa nga personat e grabitur njohën sendet e vjedhura nga adoleshenti shqiptar.

Tashmë 17 vjeçari e mbylli karrierën kriminale në burgun për të mitur në Bolonja. Për shkak të moshës së tij të re, policia italiane nuk bën publik identitetin e tij.

Ai akuzohet për vjedhje me dhunë, shpërndarje drogash të rënda, goditje dhe fyerje të nëpunësit shtetëror për shkak të detyrës, ngarje motoçiklete pa patentë dhe mbajtje armësh të ftohta.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/