Një 19-vjeçar shqiptar, Osvaldo Kenka ka ndërruar jetë, teksa ndodhej në klasë pasi ndjeu një shtrëngim në kokë, qafë dhe në gjoks.
I riu, rezident prej vitesh në Makari, Itali, i njohur ndryshe si Aldo ndiqte studimet në Institutin e Hoteleve në Erice. Pikërisht në momentin kur ndodhej në shkollë, atë e kapën krizat dhe u dërgua me urgjencë në spital.
Në fillim gjendja e tij shëndetësore nuk dukej shumë e rëndë, por i riu humbi jetën ndërsa po u nënshtrohej analizave, raportojnë mediet lokale.
Ndërkohë, e tensionuar ka qenë situata në spital mes prindërve të të riut dhe mjekëve. Për normalizimin e saj është kërkuar ndërhyrja e policisë.
Në afërsi të morgut të spitalit janë mbledhur shokët dhe shoqet e klasës së 19-vjeçarit, së bashku me mësuesit, të gjithë të tronditur nga vdekja e parakohshme.





