Vëllai i Klajdi Bitrit, 23-vjeçarit shqiptar që u vra pasditen e së dielës në Sirolo në Itali, pasi u fut në një sherr për të mbrojtur shokun e tij, ka folur për mediat italiane.
Në një rrëfim prekës teksa jep detaje nga ngjarja, Xhuliano i shtangur nga gjithçka ndodhi thotë se Klajdi ishte si një baba për të.
“Nuk është e mundur, nuk është e mundur”, përsërit ai me një zë të dobët. “Vëllai im vdiq në krahët e mi nuk do të më kthehet më kurrë”.
“Klajdi ishte altruist. Nuk mund të harroj ato kohë kur fitonte 500 euro në stazh me pagesë dhe më jepte të paktën 300 për të ardhmen time. Dhe që unë të vija të jetoja këtu, në Ankona, ku po përpiqeshim të ndërtonim një jetë të re krah për krah njëri-tjetrit. Ai ishte pika ime e referencës, nuk mund ta imagjinoj sa do të më mungojë”.
Xhuliano Bitri shprehet në këtë mënyrë pa i dhënë vetes një shpjegim racional të asaj që përjetoi të dielën mes zemërimit dhe mendimeve të zhytura në dhimbje, mes trishtimit, dëshirës për drejtësi dhe një dinjitet të jashtëzakonshëm, i rrethuar nga dashuria e miqve dhe në kontakt të vazhdueshëm me prindërit e tij, që ndodhen në Shqipëri.
Më tej ai rrëfen: Unë isha me vëllain tim dhe një person tjetër, ndërsa në tjetrin ishte një miku ynë italian me gruan dhe dy fëmijët e tij të vegjël. Së bashku, duhej të shkonim në det në Sirolo. Ishim pak mbrapa dhe, kur mbërritëm, pamë Danilon (miku italian) duke u rrahur nga algjeriani në mes të rrugës. Vëllai im kishte shumë respekt për Danilon, pasi ai e mori për të punuar tek ai, në kuzhinën e restorantit të tij dhe vëllai im mundi të kursente para e të më merrte dhe mua me vete këtu në Itali. Prindërit tanë janë ende në Shqipëri. Ata nuk do të mund të vijnë as në Itali për të parë djalin e tyre. Tani, jam unë që ndihem i detyruar të zgjidh të gjitha dokumentet e nevojshme për ta sjellë atë në shtëpi.
Xhuliano tregon se ato ishin në makinë kur panë sherrin që po ndodhte në mes të rrugës! Klajdi, tregon më tej Xhuliano, i kërkoi algjerianit që të largohej dhe gjithçka u duk sikur situata u qetësua! Por tregon më tej 18-vjeçari, algjeriani u kthye sërish me një shtizë në dorë dhe qëlloi Klajdin,
“Ai e qëlloi me dashje. Pasi i nguli shtizën vëllait tim në gjoks, u largua”,- tha Xhuliano Bitri.
Ai thotë se tani kërkon vetëm drejtësi.
“Kërkoj drejtësi. Jo vetëm për kë ka vrarë vëllain tim, por edhe për partneren e tij sepse ajo pa gjithçka dhe e ndihmoi të arratisej. Ndërsa vëllai im ishte atje, i pajetë nuk mund ta imagjinoj një jetë pa të. Ai ishte gjithçka për mua,ne jetonim bashke ne një apartament me qera pranë stacionit te Ankorës, me ndihmoi ne çdo gjë. Ne shkresat për lejen time te qëndrimit, në futboll, ne jetë. Vdiq për të ndihmuar të tjerët”.