Nuk është hera e parë që “Mona Lisa” e Leonardo da Vinçit bie pre e sulmeve të ndryshme. Më e famshmja mbetet vjedhja e Vincenzo Peruggia-s në 1911-n, i cili e mbajti plot 28 muaj të varur në kuzhinë përpara se të përpiqej ta rishiste atë tek një tregtar antikuaresh në Firence, i cili njohu origjinalitetin e saj. Peruggia u arrestua dhe u dënua me një vit burg. Në vitin 1956 po ashtu një grua ruse, protestoi për mosmarrjen e nënshtetësisë franceze duke sulmuar me acid kryeveprën e Rilindjes evropiane.

Së fundmi, një tjetër incident është shënuar në muzeun e Luvrit. Një djalë, i maskuar si grua e paralizuar, arriti të çante turmën e madhe të turistëve dhe t’i gjuante pikturës së famshme me tortë. “Mendoni për Tokën, ka njerëz që po e shkatërrojnë. Mendoni për këtë. Artistët ju thonë ‘Mendoni për Tokën.’ Prandaj e bëra atë. Mendoni për planetin!”-u shpreh ai, ndërsa e ndaluan forcat e sigurisë.

Pamjet dhe videot që kanë qarkulluar në rrjetet sociale nuk tregojnë momentin në të cilin personi sulmon pikturën, por vetëm xhamin mbrojtës të njollosur tashmë me krem ​​të bardhë dhe një nga gardianët i cili tenton ta pastrojë.