Për momentin, te Teuta flitet vetëm për largime. Arsid Kruja është i fundit që ka shpallur “divorcin” me durrsakët. Mbrojtësi shkodran e mbylli sezonin e dytë në Durrës dhe në vazhdim pritet që ta shohim diku tjetër.krujaArsid Kruja ka qenë te Teuta në dy vite, madje ndër më të dalluarit për durrsakët. Largimi i një lojtari polivalent si Kruja, krijon një hendek të madh në krahun e djathtë te Teuta, pasi mbulonte mbrojtjen, por edhe mesfushën. Pikërisht për këtë rol, trajneri Hodo e cilësonte si të rëndësishëm për skuadrën. Kruja ka falënderuar klubin dhe presidentin dhe është ndarë në mënyrën më të mirë të mundshme me Teutën.
“Pas dy viteve plot emocione, sfida, fitore e sakrifica me Teutën, dua të falënderoj nga zemra çdo njeri brenda këtij klubi. Lojtarët që u bënë si vëllezër për mua, trajnerët që më besuan dhe më ndihmuan, drejtuesit që më mbështetën në çdo moment, veçanërisht presidenti Edmond Hasanbelliu, si dhe tifozët që na qëndruan pranë me zemër të madhe. I jam pafundësisht mirënjohës ekipit për çdo kujtim, që do ta mbaj gjithmonë me vete. Tani jam lojtar i lirë dhe gati për sfidën e radhës, me të njëjtën dashuri dhe përkushtim që kam pasur gjithmonë për këtë sport. Faleminderit Teuta, do të mbetesh gjithmonë një pjesë e historisë sime”, shprehet lojtari.





