Janë zbardhur detaje në lidhje me sekuestrimin nga ana e Krimit Ekonomik të 18 mijë eurove, të dyshuara të falsifikuara.

Mësohet se Alesio Brungaj dyshohet se ishte personi nga Shkodra që kishte porositur shumat e eurove të falsifikuara dhe do të hidheshin në qarkullim në Shkodër dhe në Mal të Zi.

Serxhio Lala dhe Enis Aliaj si dhe 17-vjeçari i arrestuar dyshohet se përmes faqeve në Tik Tok shisnin euro të falsifikuara, ku përmes mesazheve në këtë rrjet social kanë komunikuar dhe me të riun nga Shkodra.

Krimi Ekonomik ka disa kallëzime për 17-vjeçarin pasi nuk është rasti i parë i tij në këtë skemë.

Të arrestuarit nuk kanë pranuar të flasin, ndërkohë policia vijon hetimet për zbulimin e personave që fshihen pas kartëmonedhave false. Ka dyshime që i mituri dhe të rinjtë e arrestuar përdoren nga persona të tjerë për të shpërndarë eurot false.

Shuma e porositur ishte 18 mije euro, ne prerje te ndryshme.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Wrong Delivery”.

Bashkëpunonin në formën e një grupi kriminal për hedhjen në treg të kartëmonedhave euro të dyshuara të falsifikuara, vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Sekuestrohen 11 pako që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Wrong Delivery”, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të kartëmonedhave.

Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B, 19 vjeç, banues në Shkodër; një i mitur 17 vjeç, banues në Tiranë; S. L, 26 vjeç, banues në Tiranë dhe E. A, 19 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P, 19 vjeç, banues në Krujë.

Shtetasit S. L., E. A. dhe i mituri u kapën në flagrancë në momentin që po tentonin të tërhiqnin në një postë në Tiranë, 11 pakot që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Këto dërgesa kryheshin nga shtetasi A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të maskuar veprimtarinë dhe për të shpërndarë kartëmonedhat e falsifikuara.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, A. P., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.