Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka marrë të pandehur ish-kryebashkiaken e Libohovës, Luiza Mandi. Ajo akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Hetimi ndaj saj nisi pas një kallëzimi të bërë nga një qytetar i cili pretendonte se në pronat e familjarëve të tij bashkia po zhvillon një projekt zgjerim rruge ku kishte pajtuar firmën “Alba Konstruksion” për kryerjen dhe zhvillimin e zonës.

Qytetari pretendon se ka kontaktuar vetë më kryetaren e bashkisë dhe përgjegjësin e urbanistikës ku e kanë sqaruar se pas përfundimit të projektit do të merreshin me riparimin e dëmeve të shkaktuara në tokat e tij.

Megjithatë, qytetari pretendon se gjatë punimeve, ndërtimi jo vetëm që nuk ka ndaluar vetëm në murin rrethues të dëmtuar, por ka hyrë edhe më tej në tokat e tij.

SPAK ka sekuestruar projektin në fjalë dhe është konstatuar se ishte cënuar pronësia e denoncuesit.

Sipas shkresave gjatë zhvillimit të projektit në fjalë nuk është zbatuar procedura e shpronësimit çka ka sjell dhe dënim ekonomik të familjes kallëzuese në një vlerë prej 362,480 lekë.