Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë arrestuar 31-vjeçarin Klaus Jaçaj, banues në Sarandë, i shpallur më herët në kërkim për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 17 korrik në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar.

Arrestimi i tij vjen si pjesë e punës së vijueshme të Policisë për kapjen e shtetasve në kërkim dhe zbatimin e urdhrave të lëshuara nga organet e drejtësisë. Sipas burimeve zyrtare, ndaj Jaçajt ishte lëshuar një urdhër ndalimi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.

Ngjarja e 17 korrikut tronditi qytetin turistik në mes të ditës, kur dy grupe u përfshinë në një përplasje me armë zjarri, përballë pushuesve të shumtë. Si pasojë, dy persona nga Kamza – Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama – mbetën të plagosur. Gjatë hetimeve, u konstatua se njërit prej të plagosurve iu gjet edhe një armë zjarri në vendngjarje.

Në këtë konflikt rezultuan të përfshirë edhe katër persona me precedentë penalë: Ramadan Zoto, Erjon Canaj, Klaus Jaçaj dhe Artan Murtaj – një prej të cilëve është i dënuar më parë për vrasje.

Ndaj Klaus Jaçajt rëndojnë dyshimet se ka ndihmuar autorët pas ngjarjes dhe nuk ka kallëzuar krimin, ndërsa automjetit të tij më pas iu vendos lëndë plasëse, ngjarje që mbetet objekt hetimi.

Policia dhe Prokuroria vijojnë punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.