Një atentat tronditi këtë të premte Vlorën. Mësohet se atentati kishte për objektiv djalin e biznesmenit Robert Hajrulla, Ines Hajrulla.
27-vjeçarit i është bërë atentat edhe në nëntor 2017, teksa iu vu tritol në makinë po në lagjen ”Hajro Çakërri”. Në atë kohë ai u plagos rëndë, duke humbur të dyja këmbët.
Pavarësisht kësaj, në atë kohë policia e arrestoi sepse iu gjet edhe një armë pa leje. Ines Hajrulla është një person me precedentë penalë, pasi ka lidhje me grupin “Llanaj” i përfshirë në disa vrasje në Vlorë.
Sot atentatorët morën në shënjestër makinën e tij. Ines Hajrulla mësohet se arriti të largohej me shpejtësi duke dalë nga makina, ndërsa plumbat e agresorëve kapën një kalimtar të rastësishëm, Dajko Cenodemajn, i cili është jashtë rrezikut për jetën.





