Izraeli është tronditur pasi të dielën në mbrëmje u njoftua në media se 22-vjeçarja Shirel Golan, e cila i shpëtoi masakrës së Hamasit të 7 tetorit 2023, kishte vrarë veten në ditëlindjen e saj.

E reja nuk arriti të rikuperohej kurrë nga tronditja e shkaktuar nga sulmi i Hamasit në festivalin e muzikës Nova ku ajo ndodhej atë ditë.

Shirel, e cila mbushi 22 vjeç të dielën, duhej të kalonte ditën duke festuar me familjen e saj, por në vend të kësaj, siç raporton Times Of Israel, ajo u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Porat ndërsa celulari i saj ishte plot me SMS urimi.

Familja e Golan, e udhëhequr nga vëllai i saj Eyal, akuzon qeverinë izraelite se nuk i ka ofruar ndihmë Shirelit në 12 muajt e fundit për t’u marrë me stresin post-traumatik  të shkaktuar nga ajo që përjetoi më 7 tetor 2023.

Si i mbijetoi sulmit vdekjeprurës të Hamasit?

Shirel dhe partneri i saj Andy ishin në festivalin Nova kur ndodhi sulmi i Hamasit. Fillimisht të dy u futën në një automjet me qëllim që të largoheshin nga festivali, por shpejt e kuptuan se nuk do të mund ta bënin këtë. Kështu ata braktisën automjetin dhe u fshehën për orë të tëra nën një shkurre.

Në një moment, në fakt, atyre iu dha mundësia të hipnin në një makinë tjetër, udhëtarët e së cilës po përpiqeshin t’i shpëtonin sulmit me armë zjarri të terroristëve të Hamasit. Megjithatë, Shirel dhe partneri i saj refuzuan t’i ndiqnin dhe pak më vonë 11 pasagjerët e mjetit në fjalë ose u vranë ose u rrëmbyen nga Hamasi, siç rrëfeu 22-vjeçarja në një intervistë televizive nëntorin e kaluar.

Shirel dhe Andy u shpëtuan përfundimisht nga oficeri i policisë Remo Salman el-Hozayel, i cili gjatë operacionit shpëtoi gjithsej 200 njerëz që kishin marrë pjesë në festivalin Nova.

Shoku post-traumatik

Në javët dhe muajt pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit, Shirel zhvilloi simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD) dhe u shtrua në spital dy herë, megjithëse familja e saj thotë se ajo kurrë nuk u diagnostikua me PTSD.

“Shteti e vrau Shirelin”, tha vëllai i 22-vjeçares, Eyal për median Ynet. Shirel sipas tij në asnjë moment nuk ishte ndihmuar nga agjencitë qeveritare dhe se çdo ndihmë që kishte marrë ishte nga organizata e të mbijetuarve dhe të afërm të viktimave të festivalit muzikor Nova.

“Nëna ime u detyrua të dilte në pension të parakohshëm për të qenë në krah të vajzës së saj. Ne kurrë nuk u larguam nga ajo. E vetmja herë që ndodhi kjo ishte sot dhe ajo vendosi t’i jepte fund jetës së saj”, shtoi Eyal duke folur për Channel.

Me rastin e vdekjes tragjike të motrës së tij, Eyal Golen i bëri thirrje shtetit të Izraelit të “zgjohet”, përndryshe do të ketë të tjera incidente të tilla vetëvrasëse.

“Kam humbur motrën time por dua të bërtas që të tjerët të mos humbasin të dashurit”, deklaroi ai.