Policia ka publikuar pamjet e operacionit të arrestimit të Edison Begajt në Vlorë një ditë më parë, të cilit ju bë atentat gjatë muajit maj por fatmirësisht arriti t’u shpëtojë plumbave.

Nga burimet zyrtare mësohet se 41-vjeçari Begaj është arrestuar për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

NJOFTIMI I POLICISË

Vlorë

Kontrolle të befasishme në disa ambiente, për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Kontrollet nga Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe strukturat e DVP Vlorë.

Gjatë kontrolleve është sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Vihet në pranga 41-vjeçari, poseduesi i armës.

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre të shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në DPPSH dhe DVP Vlorë, ushtruan kontrolle të befasishme në disa lokale dhe ambiente të ndryshme në Vlorë.

Si rezultat i kontrolleve, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit E. B., 41 vjeç, u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me një krehër me 5 fishekë, pa leje.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 41-vjeçarit E. B., për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.