Një i ri palestinez, i cili fitoi bursë studimi në Universitetin e Harvardit është kthyer sërish në Liban pasi iu refuzua hyrja në ShBA për shkak të postimeve të miqve në rrjete sociale.
Pasi arriti në aeroportin e Bostonit, Ismail Ajjawi tha se u mor në pyetje për disa orë ndërsa deklaroi se zyrtarët e emigrimit i refuzuan vizën pasi kontrolluan telefonin dhe laptopin e tij.
"Pasi mbaruan kontrollin prej pesë orësh, më thirrën në një dhomë dhe filluan të më bërtisnin. Thanë se në listën e miqve të mi, gjetën njerëz që shprehnin qëndrimet e tyre kritike kundër politikës së ShBA-së", tha ai për gazetën "Harvard Crimson".
Edhe pse tha se nuk kishte lidhje me postimet, 17-vjeçari u konsiderua "i papranueshëm" për Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa stafi i Universitetit Harvard tha se po punojnë me familjen e studentit dhe autoritetet përkatëse që të zgjidhin këtë çështje. Mësimi fillon në 3 shtator dhe pritet që studenti të zgjidhë situatën deri atëherë.





