Tiranë, 26 prill 2014 – Ish- kryeministri socialist, Pandeli Majko, duke folur në seancën e së enjtes në Kuvend, zbuloi një detaj, që tregon për adhurimin që kanë shqiptarët për të korruptuarit.

Majko tha në Kuvend se në korrupsion janë të zhytur të dyja palët.

Ai shtoi se kur e akuzuan për miliona euro, atëherë nisën që ta shohin si idhull.

“Diku nga viti 2000, unë kisha dhënë dorëheqjen si kryeministër, dhe kryetari i opozitës, zoti Berisha në atë kohë, bënte opozitën e dytë, ishte në kulmin e vet të akuzave. Në atë periudhë doli në publik dhe tha që Pandeli Majko ka 5 milionë euro në bankat e Qipros. Dhe të them të drejtën e mbaj mend mirë atë mëngjes që kam ardhur në parlament, mendova se do më thumbonin, do më thonin ç’janë këto histori, ku, tek si… Kalova në këtë sallë dhe vajta në kafe dhe çfarë të shoh, mirëmëngjesi njëri, mirëmëngjes o yll tjetri. Ti paske qenë i madh, më thoshin të tjerët. U ula në një tavolinë, që u çuan 12 veta në këmbë, duke më pritur dhe duke më thënë eja dhe ulu, dhe e di kush ishte konkluzioni? Ne të dinim të mbaruar, por ti paske qenë tepër i veçantë. Pra kjo është psikologjia mbi të cilën funksionojmë ne te kafja”, tha Majko.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/